ERZENI NË MILANO, NDESHJE SOLIDARITETI
Reklam
  • Reklam
Gjergj Vyshka

Gjergj Vyshka

Gjergj Vyshka

ERZENI NË MILANO, NDESHJE SOLIDARITETI

15 Aralık 2019 - 15:44

Përtej pjesëmarrjes në Challenge Cup, italianët në ndihmë të të dëmtuarve të tërmetit

Tërmeti i 26 nëntor, që goditi Shqipërinë, por veçanërisht Durrësin dhe Shijakun, e detyron Erzenin në volejboll për meshkuj që të luajë në Milano dy ndeshje në Challenge Cup. Ndjeshmëria e italianëve, sidomos e drejtuesve të AlianzPauerVolej, ka qenë e madhe, aq sa, përtej shpenzimeve të skuadrës shijakase për këto dy ndeshje, të gjitha të ardhurat nga biletat do të vijnë në ndihmë të të dëmtuarve të tërmetit. Bëhet fjalë për dy ndeshje, që do të luhen më 18 dhe 19 dhjetor. Trajneri i Erzenit, Arben Sako, përpara nisjes për në Milano për RTSH Sport do të deklaronte. Erzeni sakaq ka mbyllur dhe ndeshjet kualifikuese të Kupës së Shqipërisë duke u renditur e para në grup. Për Sakon, gjendja e skuadrës është optimale, ndërsa në Itali do të shpalosen vlerat më të mira të volejbollit shqiptar në tërësi dhe në veçanti atij shijakas. Shqiptarët që banojnë në Italia të interesuar për këtë ndeshje, ndërsa kanë mbi një javë që janë vënë në kërkim të biletave. Edhe për hir të tyre, Erzeni premton paraqitje dinjitoz. Erzeni udhëton të dielën drejt Milanos, fillimisht me traget deri në Bari e më pas me autobus në kryeqendrën e Lombardisë për të luajtur të mërkurën e të enjten për Challenge Cup. Ndiqni të plotë intervistën e trajnerit të Erzenit, Arben Sako, dhënë për RTSH Sport në prag të nisjes për në Milano.

SAKO: SPORTISTËT SHQIPTARË AMBASADORË

TË SPORTIT SHQIPTAR, PSE JO TË SHQIPËRISË,

NË MILANO DO TË KEMI SHUMË TIFOZË...

 

-         Tërmeti i 26 nëntorit ju detyron të bëni një hap që nuk do ta kishit dëshiruar. Sensibilizim edhe nga ana e kundërshtarit për këtë tërmet. Atëherë si vjen dhe si motivohet skuadra përballa këtij fakti?

-         Dëshira jonë ishte që të paktën një ndeshje ta kryenim në fushën tonë, por siç e dini tragjeqia që ndodhi nga tërmeti, veçanërisht në qytetin e Shijakut, na detyroi me kërkesë të tyre dhe të Federatës Evropiane që t’i luajmë të dy ndeshjet atje. Por kjo nuk do të thotë që ne do të shkojmë dhe do të pushojmë. Ne do të shkojmë dhe do të performojmë një volejboll, sepse në fund të fundit ne shkojmë të nderojmë volejbollin shqiptar, të nderojmë volejbollin e Shijakut, por dhe ato viktima të pafajshme që ngelën në ato rrënoja të kësaj skëterre që ndodhi në vendin tonë. Por ajo që dua të them unë është se, pavarësisht se ne i luajmë të dy ndeshjet atje, skuadra e Milanos ka bërë me dije se të gjitha të ardhurat që do të krijohen nga këto dy ndeshje do të shkojnë për të dëmtuarit e tërmetit dhe popullin e Shijakut. Kjo do të thotë se të gjitha barrierat dhe kufinjtë e popujve në këtë moment janë të shuara, sepse si populli italian, ashtu dhe populli shqiptar, janë në unison të plotë me këtë tragjedi. Dhe ne do të shkojmë dhe do të tregojmë më të mirën e volejbollit shqiptar dhe do të falënderojmë ato njerëz që na presin. Por të jeni të bindur që Erzeni i Shijakut dhe skuadra që unë kryesoj do të bëjmë performancë të shkëlqyer, pavarësisht se ne ndeshemi me një kundërshtar shumë-shumë të fortë, që është pretendent kryesor për të fituar Challenge Cup. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk do të jemi të barabartë në fushë. Pastaj rezultati është ai që do të vendosi të ardhmen e skuadrës sonë.

-         Ju i keni përfunduar dhe ndeshjet e fazës eliminatore të Kupës së Shqipërisë. Megjithatë në çfarë gjendje vjen skuadra në këto dy ndeshje të njëpasnjëshme më 18 dhe 19 dhjetor?

-         Skuadra mbylli eliminatoret e Kupës së Shqipërisë, ku rezultoi në vendin e parë. Ne vazhdojmë stërvitjen me ritëm, të jeni të sigurtë që edhe atje do të shkojmë të stërvitemi. Skuadra do të stërvitet shumë seriozisht si unë, si skuadra, por dhe stafi që unë drejtoj. Dhe jemi të përgatitur në mënyrë maksimale, sepse këto janë momente që rrallëherë të vijnë në jetë duke pasur parasysh që kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë dhe me lojtarë me performancë të shkëlqyer në kuadrin e volejbollit Evropian.

-         Së fundi, në Itali ose në Milano ka shumë shqiptarë. Ju do t’i bënit thirrje që të ishin përkrahë Erzenit?

-         Me siguri të plotë them që ka një javë që të gjitha biletat për të dy ndeshjet janë të ezauruara plotësisht dhe një pjesë të madhe e kanë blerë shqiptarët që jetojnë atje, ndërsa gjej rastin t’i përshëndes nga ky televizion, i cili është një nga televizionet më të mëdha në Shqipëri dhe promovon sportin dhe në veçanti volejbollin. Dhe të jeni të sigurtë që në të dyja ndeshjet salla do të jetë plotë dhe ne do të shfaqim më të mirën tonë. Por ajo që më bën mua përshtypje dhe unë jam shumë krenar është se në këtë moment që po kalon populli jonë dhe në veçanti populli i Shijakut në ato pak donacione që populli italian do të mbledhi për Erzenin e Shijakut, që do të shkojnë në ndihmë të dëmtuarve të tërmetit, të jeni të sigurtë që ne nuk shkojmë vetëm për sport. Të jeni të sigurtë që sportistët shqiptarë kudo që performojnë janë përveçse sportistë, janë dhe ambasadorë të sportit shqiptar, pse jo dhe Ambasadorë të Shqipërisë. 

YORUMLAR

  • 0 Yorum
Henüz Yorum Eklenmemiştir.İlk yorum yapan siz olun..

Son Yazılar