Trajneri i të kuqeve, Ilir Thanasi, inkurajon vajzat për të dhënë më të mirën
Partizani në volejboll për femra është në përgatitjet e fundit për ndeshjen e kthimit të raundit të dytë të CEV Cup me spanjollet e Sanabia Libi La Laguna. Takim i cili do të luhet të mërkurën në ora 18:00 në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt e që do të vijë drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar. Partizani e ka humbur ndeshje e parë 0-3 dhe trajneri Ilir Thanasi rrëfen për RTSH Sport paraqitjen e skuadrës së tij dy javë më parë. I pari i bankinës së Partizanit tregon dhe nivelin e kundërshtarit, që për të është i vështirë për cilësitë që ka. Në rast të një fitore 3-0 apo 3-1, luhet seti i artë, quajtur ndryshe “golden set” për të përcaktuar skuadrën që do të vazhdojë më tej. Përmbysje? Ndryshimi i fushës, ndërsa ndryshe nga dy ndeshjet e Champions League me Zok Bimal Jedistvo Brçko dhe Vashash, nuk është problem për të kuqet. Sa beson realisht në forcat e këtij Partizani trajneri Thanasi? Dhe menjëherë vjen përgjigja e teknikut të kuq. Kësisoj, me vetëm lojtare shqiptare, Partizani kërkon mrekullinë përballë spanjolleve të La Lagunës. Ndiqni të plotë intervistën e trajnerit të Partizanit në volejboll për femra, Ilir Thanasi, dhënë për RTSH Sport
THANASI: BESOJ, NDAJ DHE E MORA
DREJTIMIN E PARTIZANIT. MBETET
PRETENDENT KRYESOR PËR KAMPION
- Të mërkurën ndeshja e kthimit përballë spanjollëve të La Lagunës. Jemi mundur 0-3 në ndeshjen e parë në një hark kohor prej një orë e tetë minutash. Çfarë ka ndodhur dhe si ishte paraqitja e Partizanit në ndeshjen e parë?
- Duke parë që Partizani normalisht ishte i cunguar me ikjen e katër lojtareve që ishin të ekipit normalisht ishte problem. Por gocat u munduan dhe normalisht treguam që edhe me volejbolliste shqiptare Shqipëria ka një volejboll të mirë.
- Çfarë lloj kundërshtari ishte La Laguna?
- Ishte i një niveli të lartë, të mirë, me vajza me eksperiencë dhe të larta. Lojtare të cilat goditni sipër dy metrave, tre deri në 3.50 metra.
- Në këto rrethana do të jetë e vështirë ndeshja e kthimit për të parashikuar një përmbysje?
- Përmbysjen e shpresojmë të gjithë. Por është një gjë që duhet thënë se me këtë kontigjent që për momentin Partizani ka nuk mund të them e vështirë, por ne do të bëjmë punën tonë. Do të luftojmë edhe për pikën e fundit dhe më pas gjithçka t’ia lëmë fushës.
- Dhe me një ndeshje që del jashtë Tiranës dhe luhet në Pallatin e Sportit “Dhimitraq Goga” të Xhafzotajt, ndryshon situata?
- Jo absolutisht! Absolutisht fare nuk ndryshon. Edhe ajo është një fushë të themi shumë-shumë e mirë. Shpresojmë që të kemi tifozllëk, që normalisht ta kemi edhe ne një përkrahje sado pak ne dhe gocat në fushë
- Së fundi, ju vetë besoni realisht tek kjo skuadër kështu siç është?
- Për momentin që unë e mora besoj prandaj e mora. Besoj tek puna që kemi bërë bashkë me kolegun tim, që normalisht ka ikur, Roland Tarja, apo dhe normalisht tek dy kolegët e tjerë, që ishin trajnerët e Partizanit. Unë besoj tek ky Partizan. Ky Partizan do të shikohet në janar. Avash-avash Partizani po tregon që do të mbetet pretendent për kampion.